Urimi i Kryetarit të UIAZD-it me rastin e festës së Fitër Bajramit
Urimi i Fitër-Bajramit
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,
pak çaste na ndajnë dhe ne përcjellim muajin e bekuar të Ramazanit, të cilin e kremtojmë me Fitër-Bajramin.
Festat e myslimanëve lidhen me dy dimensione madhore, njëri hyjnor kurse tjetri njerëzor. Dimensioni njerëzor i festës është në gëzimin, dëfrimin, harenë, lojën, këngën, veshjet e reja, komunikimin dhe festimin me të tjerët etj.
Sakaq, dimensioni hyjnor, është fakti se njeriu, edhe pse në festë, nuk e harron Zotin e tij, por përkundrazi, ai e adhuron, lartëson dhe falënderon Atë në çdo rast.
Të gjitha këto na lënë të mendojmë se Zoti dëshiron që njerëzit të jenë të lumtur gjithnjë e më shumë në rrugëtimin e tyre drejt Zotit. Që ky gëzim apo lumturi të mos përjetohet vetëm në kushte apo raste të veçanta, besimtarët duke patur në duar çelësin e lumturisë, MIRËNJOHJEN, i përjetojnë këto ndjenja gjatë gjithë vitit.
Islami si fe hyjnore nuk është fe e dukjes apo aparencës, por fe e cila përkon me natyrën njerëzore dhe natyra njerëzore e pëlqen argëtimin dhe gëzimin, sidomos në raste festash duke i përfshirë të gjithë.
Ju urojmë të gjithë shqiptarëve në Gjermani dhe myslimanët anë e mbanë botës, Gëzuar festën e Fitër Bajramit. Zoti e bëftë këtë ditë, pikënisje të çdo të mire!
Me respekt:
Mensur ef. Halili