Ramazani, Muaji i Mirënjohjes
Ramazani, Muaji i Mirënjohjes
Unioni i qendrave Islame Shqiptare në Gjermani zgjodhi si moto për Ramazanin 2025, “Ramazani, Muaji i Mirënjohjes”.
Pasi njeriu është krijesa më e vlerësuar tek Allahu, Ai e begoi atë me mirësi shpirtërore e materiale dhe ia nënshtroi gjithçka në tokë e qiell. Zoti na kujton në Kuran si vijon: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme?..” Kuran 31:20
Mirënjohja ndaj mirësive të Zotit është çelësi i të gjithë mirësive. Pasi Zoti e ka bekuar njeriun me mirësi të panumërta dhe në veçanti muslimanët që jetojnë në perëndim, të cilët gëzojnë edhe një herë më shumë begati, të cilat meritojnë falenderim të vazhdueshëm për t’i shijuar ato dhe mos të rrezikojmë humbjen e tyre sepse një mirësi e cila nuk vlerësohet, ka shumë gjasa që njeriu ta humbë atë.
Zoti me mëshirën e Tij na ka lajmëruar në Kuran se vetëm pak nga njerëzit do të jenë falenderues dhe për këtë arsye Ai na ka orientuar tek disa adhurime të cilat na edukojnë që të jemi mirënjohës ndaj çdo mirësie dhe të duruar ndaj çdo fatkeqësie. Ndër këto adhurime rënditet edhe muaji i begatë i Ramazanit i cili na trajnon në mënyra efikase për 30 (tridhjetë) ditë radhazi që njeriu të bëhet më i vetëdijshëm për mirësitë e shumta që posedon. Këtë urtësi të këtij muaji, Zoti e ka përmendur në Kuran, ku na rikujton në mesin e ajeteve të agjërimit:”..Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë”. Kuran 2:185
Kjo lloj vlere, ndjenje, pra MIRËNJOHJA është aq shumë e domosdoshme për njeriun që nëpërmjet saj, jo vetëm që i shtohen mirësitë, por ai i shijon ato në mënyrë të veçantë. Për këtë Zoti ka vendosur ligj hyjnor që nuk ndryshon asnjëherë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.” Kuran 14:7
Ky ajet madhështor aludon në faktin që jo të lumturit janë falenderues, por FALENDERUESIT janë të lumtur.
Një fakt tjetër që e bën njeriun të jetë sa më shumë mirënjohës është ai që armiku i tij i përbetuar ka premtuar të bëj çmos vetëm e vetëm që ta zhveshë njeriun nga kjo vlerë e vyer. Këtë dredhi të shejtanit e ka përmendur Zoti në Kuran: “Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Kuran: 7:16-17
Pra, shejtani nuk mundohet që të na pengojë nga Namazi, Ramazani e Haxhi, por këmbëngul që ne të mos jemi vigjilent për mirësitë e Zotit dhe që të mos bëhemi kurrë lumtur.
Sakaq Zoti ynë na fton drejtpërdrejtë që ta falenderojmë Atë, pasi pak nga robërit e Tij falenderojnë: “…Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues”. Kuran 34:13
Jo vetëm kaq, por profeti Muhamed na ka mësuar që ta praktikojmë këtë gjest madhështor edhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore ku thotë: “Ai që nuk falenderon njerëzit, nuk ka falenderuar as Zotin”.
Po ashtu, Allahu ka dërguar profetët që të jenë shëmbëlltyre për ne në çdo aspekt të jetës dhe një nga cilësitë që gëzonte çdo profet i Zotit ishte MIRËNJOHJA dhe MODESTIA. Ndërkohë kulmin e mirënjohjes e arriti Profeti jonë i dashur, Muhamedi a.s i cili falej gjatë gjithë natës derisa i enjteshin këmbët dhe kur u pyet nga bashkëshortja e tij, Aishja r.a, se përse e stërmundonte veten e tij kaq shumë ndërkohë që nuk kishte asnjë gjynah, ai iu përgjigj me modestinë e tij: “A mos të jem mirënjohës ndaj Zotit tim?!”
Këtu po e përfundoj me një hadith, në të cilin Profeti (a.s) ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është mirësi. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falenderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”.
E lusim Zotin e madh që ta shfrytëzojmë këtë Ramazan në mënyrën më të mirë me qëllim që ky muaj të na bëjë mirënjohës e falenderues ndaj çdo mirësie dhe durimmëdhenj ndaj çdo fatkeqësie.
Laurent Ibra