Historiku
Unioni i bashkësive islame shqiptare në Gjermani, i cili u themelua më 16.06.2007 në Stuttgart, është institucioni juridik dhe një bashkësi fetare jopolitike e pavarur nga shteti, ku përfshihen të gjithë besimtarët myslimanë shqiptar në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë që pranojnë parimet themelore të fesë islame.
Selia e unionit gjendet pranë qendrës islame shqiptare në qytetin verior të Gjermanisë, Hamburg.
Përgjegjësia që kanë njerëzit para Zotit, Krijuesit të gjithçkaje, fton në kërkimin e të vërtetës dhe përpjekjen për të arritur përsosshmërinë.
Kërkimi i të vërtetës është diçka natyrore tek njeriu i cili është i bindur se nga Zoti e ka prejardhjen. Njerëzit që besojnë Zotin i bashkojnë shoqatat fetare për të kryer detyrimet e tyre ndaj Zotit.
Në Gjermani muslimanët janë pas katolikeve dhe protestantëve më e madhja bashkësi fetare. Kështu që aktivitetet e muslimanëve nëpërmjet shoqatave janë të domosdoshme dhe shumë domethënëse në informimin dhe prezantimin e bashkësisë islame në shoqerinë ku jetojmë.
Unioni është udhëheqës në fushën e veprimtarisë fetare, shembull i organizatës së suksesshme që ka qëllim fetar e bamirës dhe ka si objekt të përhapë, zgjojë dhe forcojë tek besimtarët myslimanë, besimin islam, të ruajë traditën e trashëguar nga të parët tanë, të mbrojë dinjitetin dhe identitetin, të drejtat dhe interesat e myslimanëve, të rrisë e zhvillojë ndjenjën e dashurisë e të besnikërisë ndaj fesë dhe atdheut, si dhe të ruajë e forcojë dialogun mes komuniteteve fetare duke synuar promovimin e dialogut ndërfetar, si dhe eliminimin e keqkuptimeve dhe paragjykimeve në mes të komuniteteve fetare.
Ky Union është vërtet i suksesshëm kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore, kështu që nga prioritetet e para është përkujdesja dhe modernizimi i qendrave anëtare.