Agjërim të lehtë dhe të pranur te Allahu!
Urimi Ramazan 2024
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,
Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit ju uroj agjërim të lehtë dhe adhurime të vlerësuara dhe të pranuara!
Unioni i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani ka përzgjedhur “Vigjilencën“ si moto për Ramazanin 2024 .
Njeriu bashkëkohor zakonisht është konfuz dhe i hamendshëm kundrejt informacioneve të shumta dhe shpesh kundërthënëse. Informacione ka shumë, por dilema edhe më shumë, kurse kohë për t’i trajtuar këto informacione dhe për t’i vlerësuar shumë pak.
Ramazani si një minierë plot thesare , mban me vete edhe zbuluesin e forcave të brendshme që duhet t’i ftojmë për të gjetur daljen nga labirinti i quajtur “jeta në këtë botë”.
Çdo ditë e më tepër njeriu bashkëkohor bindet se shpëtimi, qetësia, harmonia dhe lumturia shpirtërore e tij nuk mund të gjendet vetëm në të arriturat e shkencës dhe teknologjisë bashkëkohore. Kësaj i ndihmon edhe fakti se njeriu është qenie me intelekt të veçantë që nëpërmjet besimit, hulumtimit dhe reflektimit vazhdimisht është në kërkim të vërtetës dhe arritjes së harmonisë njerëzore.
Vigjilenca është gjendja mendore, ku arrihet vetëdijesimi i plotë i njeriut duke u koncentruar tek e tashmja me sy nga e ardhmja. Për këtë arsye, Allahu na fton në Kuranin Famëlartë: ”Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten!…” 59:19
Vjen ky muaj i bekuar dhe besimtari musliman e kthen trupin e tij ne shërbim të shpirtit që ai të jetë më vigjilent në parimet, idealet dhe qëllimet e tij, që besimtari ta shfrytëzojë çdo adhurim dhe në veçanti shfletimin, leximin, hulumtimin, reflektimin dhe praktikimin e Kuranit që të ketë një qasje dinjitoze për të ardhmen dhe paqen e botës mbarë.
Unë nuk mund të gjej urim më të mirë sesa ai i Zotit, kur thotë në hadithin kudsij: “Çdo punë që bën njeriu e bën për vehten e vet përveç AGJËRIMIT. Atë e bën për Mua dhe Unë vetë do t’ia shpërblej.”
O Zoti ynë, na e mundëso që të përjetojmë të gjitha të mirat që sjell ky musafir i madh i njerëzimit! O Zoti Ynë, bëje këtë Ramazan, pastrim për gjynahet tona, reformë për zemrat dhe vetet tona, zgjidhje e problemeve tona! Amin!
Me respekt
Mensur ef. Halili
Düsseldorf 08.03.2024